Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë të mërkurën, më 9 shtator, seancën konstituive, ndërsa ende nuk dihet nëse partitë politike kanë siguruar votat e nevojshme për t’i dhënë fund ngërçit institucional.
Seanca është caktuar të nisë në orën 11:00, në një përpjekje të re për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Mungesa e një marrëveshjeje të qëndrueshme politike ka lënë të hapura disa skenarë, nga konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve të reja, deri te vazhdimi i krizës dhe mundësia e zgjedhjeve të reja.
Një tjetër çështje që pritet të ndikojë në zhvillimet politike është zgjedhja e presidentit, për të cilën partitë ende nuk kanë arritur konsensus.
Analistët politikë kanë vlerësime të ndryshme për atë se çfarë mund të ndodhë pas seancës së 9 shtatorit. Dritëro Arifi e konsideron situatën problematike edhe nga aspekti kushtetues dhe kërkon që çështja të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Nexhmedin Spahiu paralajmëron mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Në anën tjetër, Blerim Burjani beson se Kuvendi mund të konstituohet dhe Qeveria të formohet, por e sheh si më të qëndrueshme një marrëveshje të drejtpërdrejtë politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Seanca e 9 shtatorit pritet të jetë një nga momentet kyçe për të kuptuar nëse Kosova po i afrohet zgjidhjes së krizës institucionale apo një tjetër përplasjeje politike.