Procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të tetorit 2025, është përmbyllur më 29 gusht, ndërsa të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë një interesim të konsiderueshëm nga diaspora.
Sipas KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit (23 korrik – 29 gusht), janë pranuar gjithsej 56,778 aplikime, nga të cilat 46,015 janë miratuar dhe 10,094 janë refuzuar.
Në krye të listës me më së shumti regjistrime për të votuar në zgjedhjet lokale, qëndron Gjermania me 21,500 votues të regjistruar.
Pas Gjermanisë vijnë: Zvicra me 11,024 votues të regjistruar, Austria me 2,468, Italia me 2,155 dhe Franca me 1,730 votues të regjistruar.
Në anën tjetër, disa shtete janë përfaqësuar në këtë proces me një numër simbolik votuesish vetëm 1 apo 2 persona.
Këto shtete janë: Shqipëria me 2 votues, Greqia me 2, Zelanda e Re me 2 votues, Tajlanda gjithashtu me 2, Bullgaria me 2 etj.
Kurse me nga një votues të regjistruar janë shtetet: Indonezia, Malta, Guajana Franceze dhe Kuvajti.
Procedurat specifike për votim përmes postës do të publikohen shumë shpejt nga KQZ, derisa votimi do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor.
Për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, në këto zgjedhje votuesit e regjistruar do të pranojnë nga KQZ pakon me nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për kryetar komune dhe një tjetër për zgjedhjet për kuvend komunal.
Sipas KQZ-së, detyrë e secilit prej votuesve është që pas plotësimit të fletëvotimeve, pakon me fletëvotime ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen në shtete të ndryshme, adresat e të cilave do të publikohen nga KQZ para fillimit të votimit me postë. /Telegrafi/
