Ngacmohet ambasadorja e Luksemburgut në Kosovë, arrestohet i dyshuari

Një person është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi që i njëjti kishte ngacmuar ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet E.H., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”, nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari i lartcekur, më 10.11.2021, gjatë qarkullimit në trafikun rrugor në Prishtinë, ka shfaqur sjellje të padëshirueshme të ngacmimit ndaj Ambasadores së Luksemburgut në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njofton se ndaj të njëjtit, do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale.​