Nisma do ta mbështesë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se partia e tij mbështetë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka iniciuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Limaj ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje, e cila sipas tij nuk nënkupton shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Se ky koalicion do të ketë një përfundim të tillë kam qenë i bindur për shumë arsye, prej dallimeve konceptuale dhe mënyrës se si kanë filluar të bashkëbisedojnë e të ndërtojnë atë koalicion nga fillimi e deri në fund ka qënë me mosbesim, me jotransparencë, me njëanshmëri dhe mungesë përvoje”, deklaroi Limaj.

Sipas tij, duhet proceduar sa më parë me aspektet ligjore në mënyrë që mocioni i mosbesimit të shkojë për votim në Kuvend.

Më herët edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do ta mbështesë një mocion të mundshëm mosbesimi ndaj qeverisë.