NISMA përkrah shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Nisma Socialdemokrate do të mbështesë kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend si pasojë e virusit COVID-19.

Kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, tha se këtë dekret e shohin si masë në funksion të parandalimit të zgjerimit të virusit dhe masë në funksion të mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.

 “Nisma Socialdemokrate është e gatshme që të mbështetë propozim-dekretin e presidentit për masa të jashtëzakonshme. Ne këtë dekret ose këto masa i shohim në funksion të preventimit të zgjerimit të virusit, ne mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës, ne këtë masa e shohim në mundësinë e aktivizimit të gjitha resurseve tona të sigurisë, po ashtu resurseve ekonomike. Nuk është vetëm segmenti i sigurisë që mundësohet përmes masave të jashtëzakonshme për të ndihmuar në preventimin e virusit, unë besoj se shumë më rëndësi është edhe segmenti tjetër, segmenti ekonomik”, tha ai.

Kreu i Nismës tha se në emër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit janë të gatshëm të mbështesin Qeverinë e Kosovës, institucionet lokale dhe qendrore në funksion të tejkalimit të kësaj situate.

Ai i ka bërë apel institucioneve të shëndetësisë dhe atyre sociale, që të kenë kujdes për njerëzit e moshuar, e sidomos për ata që jetojnë të vetëm. Limaj, tha se ai, partia, dhe të rinjtë e kësaj partie nëse nuk kanë mundësi institucionet qendrore do të angazhohen për t’i vizituar.

Po ashtu, Limaj i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkoi ndihma teknike nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet mike, për mjete mbrojtëse për t’u përballur me këtë virus.

I pari i Nismës ka komentuar edhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu, ku tha se në gjendjen në të cilën gjendet vendi nuk është koha për të bërë politikë.

Ai i ka bërë apel të gjitha partive politike se tash nuk është koha për përplasje politike, por i gjithë fokusi të kthehet tek parandalim i përhapjes së virusit COVID-19.

Limaj, tha se partia që ai e udhëheq nuk bëhet pjesë e përplasjeve mes kryeministrit dhe presidentit, pasi sipas tij, këto janë të dëmshme për vendin.