Një 80-vjeçare dyshohet se u vra nga burri në Prizren

Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve që dyshohet se janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Rasti ka ndodhur në Prizren, ndërsa burri 81-vjeçar është arrestuar.

Siç ka njoftuar Policia në Prizren, vdekjen e L.D. e kanë konstatuar autoritetet në vendngjarje – në shtëpinë e saj, në orët e para të së mërkurës. 

Bashkëshorti është shoqëruar në polici dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes ka lindur dyshimi për veprën penale “vrasje e rëndë”. Sipas njoftimit policor, “dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. I dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë.

Policia ka njoftuar po ashtu se sipas evidencave zyrtare, “çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.

“Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, përfundon njoftimi i Policisë.

Ndërkaq, në një njoftim për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të kërkojë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit. Aty është theksuar se dyshimet janë që gruaja ka vdekur si pasojë e dhunës fizike.

“Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftim.