Njëmijë ndeshje të zhvilluara, Ronaldo: Jam shumë krenar

Cristiano Ronaldo e ka zhvilluar ndeshjen e 1.000 në karrierën profesionale si futbollist dhe është shprehur shumë krenar për këtë arritje.

Edhe pse ishte raportuar që këtë statistikë e ka arritur në takimin ndaj SPAL-it, vet lojtari e konsideron derbin ndaj Interit si ndeshjen e njëmijtë në karrierën e tij.

35-vjeçari nuk shënoi në fitoren prej 2-0 të Zonjës së Vjetër, porse regjistroi një shifër të jashtëzakonshme paraqitjesh duke përfshirë të kaluarën me Sporting Lisbonën, Manchester Unitedin, Real Madridin dhe tash Juventusin.

“Jam shumë krenar që i kam arritur 1000 ndeshje zyrtare në karrierën time me një fitore shumë të rëndësishme që na vë në krye të tabelës”.

“Faleminderit gjithë bashkëlojtarëve të mi, trajnerëve, familjes sime dhe miqve, si edhe fansave të mi që më ndihmuan ta prek këtë arritje të madhe”, ka shkruar Ronaldo në Instagram.

Në 18 sezone si futbollist profesionist, CR7 i ka shënuar 725 gola për katër klube të ndryshme. Njëherësh, ai i ka regjistruar edhe 164 paraqitje me Portugalinë, ku i ka shënuar 99 gola dhe e ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve.