Xhafer Tahiri ka publikuar mesazhet me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, një natë para lidhjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Vushtrrisë.
Sipas Tahirit, Abdixhiku ka qenë i njoftuar paraprakisht për lidhjen e koalicionit me VV-në në këtë komunë, madje ka thënë se Abdixhiku kishte kërkuar nga ai që të negociojë me VV-në edhe për një tjetër komunë – Suharekën.
Në Kanal 10, Tahiri ka publikuar disa mesazhe me Abdixhikun, të cilat pretendon se janë realizuar një natë para lidhjes së marrëveshjes.
Në mesazhet e publikuara nga Tahiri, në një bisedë mes tij dhe Abdixhikut në Viber, kreu i LDK-së kërkon që marrëveshja mos të bëhet publike.
Po më thonë që marrëveshjen doni me bo publike, nuk bën asnjë marrëveshje të bëhet publike Xhafë”, thuhet në njërin nga mesazhet e Abdixhikut.

Tahiri ka paraqitur edhe një tjetër mesazh të Abdixhikut, teksa ka paralajmëruar që do të paraqes edhe fakte tjera para këshillit të LDK-së, i cili pritet të mbahet më 10 tetor.
“Kërko një javë kohë. Deri pas certifikimit. Thuaj me kërkesë të partisë nuk mund të lidhim asnjë marrëveshje pa certifikim. Tani e shoh si e kapërcejmë”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Abdixhiku.
