Nuk i kaloi testet mjekësore, dështon transferimi i Vedat Muriqit në Belgjikë

Dështon transferimi i Vedat Muriqit në Belgjikë. Sulmuesi dardan u është nënshtruar testeve mjekësore me Club Brugge dhe rezultatet e para të testeve fizike kanë lënë shumë për të dëshiruar.Drejtuesit e klubit belg e kanë pezulluar përkohësisht zyrtarizimin e kosovarit. Rikthimi në formë i 28-vjeçarit, sipas testeve mjekësore, pritej pas 2 muajsh, gjë që ka çuar në dështimin e transferimit të tij.

Vedat Muriqi pritej të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Club Brugge, pasi në arkat e Lazios do të shkonin rreth 11 milionë euro.

Sulmuesi u transferua në vitin 2020 në Itali, pas një sezoni të mrekullueshëm të zhvilluar në Turqi me Fenerbahcen, por me Lazion Muriqi nuk tregoi asgjë.

Në janar të vitit 2022, kosovari kaloi në formën e huazimit në Spanjë, ku ndihmoi Mallorcan të qëndronte në La Liga. Muriqi shfaqi një formë të mire, duke zhvilluar 16 ndeshje në kampionatin spanjoll dhe gjithashtu dha ndihmën e tij me pesë gola.

Sipas raportimeve, Muriqi pritet të rikthehet në Itali pas dështimit të transferimit të tij te Club Brugge. Sulmuesi do të jetë në pritje të ofertave të reja në drejtim të tij dhe një opsion mund të jetë përsëri largimi në formën e huazimit.