Nuk mund të shpallet orë policore, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme

Derisa po vazhdon mosmarrëveshja midis Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë çështje kanë reaguar edhe ekspertët e sigurisë në vend.

Eksperti i çështjeve të Sigurisë, Agim Musliu, është shprehur se nuk mund të shpallet orë policore nëse nuk ka gjendje të jashtëzakonshme, masë kjo e para e cila është kërkuar sot kryeministrit Kurti që t’i propozojë Qeverisë si masë shtesë kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Sipas Musliut, ora policore është pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme, ku hynë në funksion FSK, Policia, Doganat, Shërbimet Emergjente dhe Shërbimet Sekrete.

“Nuk mund të shpallet orë policore nëse nuk shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Ora policore është pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme. Në aspektin e gjendjes së jashtëzakonshme hyn në funksion FSK-ja, Policia, Doganat, Shërbimet Emergjente, Shërbimet Sekrete, kurse përkufizimi i lirisë është diçka tjetër”, ka thënë Musliu në një intervistë për RTK-në.

Kujtojmë se Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë masa shtesë kundër koronavirusit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, por nuk ka përmendur masat e jashtëzakonshme.

“Këto masa do të diskutohen sot edhe me ministritë e linjave dhe do paraqiten në mbledhjen e Qeverisë. Të gjitha këto masa do të shpjegohen saktë për qytetarët pasi të kenë marrë miratimin”, tha Vitia në një postim në Facebook.