Nuk u “kurorëzua” me trofeun për mbi 10 vjet, por Guardiola vendos një rekord unik në Ligën e Kampionëve

Që nga koha kur u largua nga Barcelona, Pep Guardiolan e ka përndjekur “mallkimi” në Ligën e Kampionëve.

Tekniku spanjoll nuk ka mundur më kurrë të fitojë trofeun me “veshë të mëdhenj”, por ky fakt nuk e pengon të futet në librin e artë të Ligës së Kampionëve.

Ndaj Bayern Munich, ish-ekipit të tij, Guardiola siguroi për herë të dhjetë një biletë për në fazën gjysmëfinale.

Ky është një rekord absolut, asnjë trajner më parë nuk e kishte arritur një shifër të tillë.

Në karrierën e tij, Guardiola ka prekur këtë fazë katër herë me Barcelonën, tre herë me Bayern Munich dhe tre herë me Manchester Cityn.

Sigurisht kaq nuk mjafton për Guardiolan, as për Manchester Cityn, pasi këtë vit dëshirojnë t’i shkojnë deri në fund këtij turneu.

“Qytetarët” në gjysmëfinale do të përballen me 14 herë kampionët e Evropës, Real Madridin.