Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim të posaçëm.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i këtij procesi – të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00 – e deri më tani, të premten, më 30 janar 2026, në ora 08:00, janë rinumëruar mbi 94 për qind e vendvotimeve. Konkretisht, janë përfunduar 2,414 vendvotime nga gjithsej 2,557 sa janë paraparë për rinumërim.
Procesi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e KQZ-së dhe sipas procedurave ligjore në fuqi, me qëllim të garantimit të transparencës, saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Rinumërimi përfshin verifikimin e çdo fletëvotimi dhe krahasimin e rezultateve me të dhënat paraprake.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen gradualisht, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim. Qytetarët dhe palët e interesuara mund t’i përcjellin këto të dhëna në kohë reale përmes platformës zyrtare të rezultateve të KQZ-së, në adresën:
https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në seksionin QNR > Rinumërim.
Procesi pritet të përmbyllet pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përfshira në vendimin e KQZ-së, pas së cilës do të pasojë përditësimi përfundimtar i rezultateve.