Obsesioni i Contes për fitore i shpaguhet skuadrës së Interit

Antonio Conte e ka arsyetuar pagën më të lartë prej trajnerëve në Serie A, duke e rrëzuar ish-klubin e tij, Juventusin, nga froni, për t’i dhënë fund shterpësisë njëmbëdhjetëvjeçare të Interit për titullin e kampionit. Conte me Interin arriti te titulli pas dy sezonesh në krye të ekipit.

Njëmbëdhjetë vjet pas “tripletës” historike të Jose Mourinhos, Interi e siguroi titullin e 19-të të Italisë, falë një trajneri të zjarrtë, mentaliteti fitues i të cilit u krijua për shumë vjet te rivali kryesor, Juventusi. Titulli i kampionit në Serie A gjithashtu justifikon vendimin e pronarit kinez të Interit, dy vjet më parë, për ta bërë Conten trajner të ekipit të tij, me një pagë vjetore prej 12 milionë eurosh. Drejtuesit e Interit ia besuan ekipin Contes, kurse 51-vjeçari nuk arriti ta fitojë titullin në edicionin e tij të parë, duke përfunduar i dyti në tabelë me vetëm një pikë prapa Juventusit. Por këtë herë eliminimi i hershëm nga garat evropiane lejoi që Interi të përqendrohej në kampionat dhe të siguronte titullin e parë që nga viti 2010.

“Stërvitja ime ishte e zhurmshme dhe e qartë për mendjet e lojtarëve”, tha Conte për mënyrën se si motivoi ekipin.

Trajneri italian insistoi se gjithmonë ka besuar në lojtarët e tij, të cilëve iu drejtua me fjalët: “Së pari ua stërviti kokën, pastaj ua stërviti këmbët”.

Conte ia doli të krijojë një ekip me mentalitet fituesi sikur ai.

“Çdo ditë unë u them atyre se triumfet e ekipit vijnë përpara suksesit personal. Fitorja është mënyra e vetme për t’u bërë të shkëlqyeshëm. Ne me të vërtetë jemi përqendruar në anën mendore të gjërave gjatë dy vjetëve të fundit, sepse ka kaluar një kohë shumë e gjatë që kur Interi ka qenë konkurrues. Diçka ka ndodhur me lojtarët. Ata tani kanë besim të plotë te personi që i udhëheq ata”.

Për Conten ky ishte titulli i pestë si trajner. Ai i ka fituar tre me Juventusin (2012, 2013, 2014), si dhe një me Chelsean në Angli në vitin 2017.

Edhe lojtarët kanë pranuar se Conte është i obsesionuar me fitoren.

“Stërvitja është si një zonë lufte te Conte”, zbuloi sulmuesi Romelu Lukaku, një nga yjet e Interit në revolucionin Conte. “Trajnerit nuk i pëlqen kur përmbahesh, pra në stërvitje duhet të japësh gjithçka nga vetja dhe të dëshmosh se vetëm fitorja ka vlerë”.

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Italisë, Matteo Darmian, vlerësoi aftësitë taktike të Contes krahasuar me ish-trajnerët e tij, holandezin Louis Van Gaal dhe portugezin Mourinho te Manchester Unitedi. Sipas tij, Conte është unik për mënyrën e punës së tij.

“Van Gaal ishte një fanatik i rregullave. Mourinho nuk ka dashuri tjetër përveç fitores”, tha Darmian. “Mirëpo, Conte ka më së shumti ide midis tyre. Taktikisht ai është një lëvizje përpara”.

Conte e rindërtoi Interin, pas dy viteve të Luciano Spalletit, i cili kishte bërë që ekipi sërish të kthehej në Ligën e Kampionëve pas një pritjeje të gjatë.

Nën drejtimin e Contes, lojtarët si Lukaku, Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez lulëzuan, ndërsa të tjerët si Christian Eriksen dhe Ivan Perishiq pas vështirësive në fillim të sezonit, përfundimisht e adaptuan stilin e tyre me atë të trajnerit italian. Ka pasur tensione te Interi, me Conten që kërcënoi të largohet sezonin e kaluar për shkak të ankesave se drejtuesit e klubit nuk e kishin mbështetur atë ose lojtarët në rrugëtimin për titullin e kampionit.

Inter përfundoi i dyti në Serie A dhe e humbi finalen e Ligës së Evropës nga Sevilla edicionin e shkuar që ishte sezoni i parë i Contes në krye të ekipit. Por, pavarësisht dy eliminimeve të hershme, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Conte duket se ka gjetur kombinimin fitues.

Një ish-mesfushor nga Lecce në rajonin jugor të Pulias, karriera e Contes është drejtuar nga një fiksim për të fituar, duke i vënë emrin vajzës së tij Vittoria. Conte kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke luajtur te Juventusi, nga viti 1991 deri në vitin 2004, duke fituar 13 trofe në po aq vite në Torino, përfshirë pesë tituj kampioni në Serie A dhe Ligën e Kampionëve të fundit për “Zonjën e Vjetër” në vitin 1996.

Që kur u kthye në zejen e trajnerit në vitin 2006, fiksimi i tij i vazhdueshëm për të fituar ka pasur një ndikim pozitiv në shumicën e ekipeve që ai ka menaxhuar. Ai e udhëhoqi Barin dhe Sienën drejt ngritjes në Serie A, filloi dominimin e Juventusit në kampionatin italian duke fituar tre tituj radhazi , udhëhoqi një Itali të padëshiruar deri në çerekfinale të “Euro 2016” dhe fitoi Premier Leaguen në sezonin e tij të parë me Chelsean. Një perfeksionist, Conte beson se skuadra e tij lulëzon sepse ai thjeshton lojën.

“Unë jam një trajner që gjithmonë i jap një ide të saktë të futbollit ekipit tim. Duket se unë vendos trendin në taktikë. Futbolli im ka qenë gjithmonë i organizuar, ne kemi një ide dhe punojmë shumë për shumë skenarë. Por mentaliteti bën ndryshimin në daljen nga situatat e ndërlikuara”, pranoi Conte.

Sidoqoftë, ai ende nuk e ka shijuar suksesin evropian si trajner, duke i munguar si me Juventusin ashtu edhe me Chelsean përpara se të humbiste me Interin në Ligën e Evropës. Një vit mbetet në kontratën e tij te Interi, por Conte tashmë ka lënë të kuptohet se do t’i duhen disa garanci dhe burime nga klubi “për t’u përpjekur të arrijë momentin tjetër” – suksesin në Ligën e Kampionëve.