Sunny Hill Festival

Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

E para e shtetit tha se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian”.

“Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërlidhur me Dialogun, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.

Ajo e falënderoi z. Sorensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.