Xhavit Haliti

Osmani: SHBA-ja mobilizoi botën për të na ndihmuar, nga OKB-ja dëgjonim vetëm fjalë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për BBC-në ka deklaruar se janë një numër arsyesh pse Kosova ka vendosur të jetë pjesë e Bordit të Paqes të kryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Një nga arsyet kryesore, ka thënë ajo, ishte ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mobilizimi i tyre për arritjen e paqes në Kosovë, duke shtuar se Rezoluta e OKB-së “ishte vetëm një copë letre, fjalë, por jo veprime”.

Osmani ka thënë se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova tani është vend i lirë.

“Janë një numër arsyesh, por më lejoni të kthehem 26 vjet më parë kur Kosovar ishte vend i shkatërruar nga lufta. Ndaj njerëzve të Kosovës po kryhej gjenocid dhe nën lidershipin e SHBA-së me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike gjithandej botës, jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe, na u dha shansi për të jetuar të lirë dhe sot jemi sovran, jemi demokratik, jemi të lirë dhe më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë gjenerata e parë në historinë e ekzistencës së shtetit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe janë duke e gëzuar paqen. Ne e dimë se si paqja mund të arrihet, dhe ajo mund të arrihet përmes veprimeve. Atë kohë, isha fëmijë i luftës, duke u rritur nën granatime, si çdo kush tjetër në gjeneratën time, jetët tona ishin në rrezik. Por e rëndësishme është se ajo që po dëgjonim atë kohë ishte se Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte një copë letre, ishin fjalë, por zero veprime. Derisa SHBA-ja erdhi dhe mblodhi botën pas vetes për të na shpëtuar”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se bota ka nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare e cila është e përfshirë në arritjen e paqes dhe ruajtjen e saj.

“Kështu që arsyeja e parë është se ka dallim mes të bërit paqe dhe të ruajturit paqen. Ne kemi nevojë për një organizatë ndërkombëtare të fuqishme e cila është e përfshirë në paqebërje dhe arritjen  e paqes dhe gjithashtu OKB-ja mund të jetë e përfshirë në ruajtjen e paqes, gjë të cilën e bën më së miri dhe e ka bërë këtë me ndihmën dhe mbështetjen e shumë shteteve në Kosovë për dhjetë vjet”, ka deklaruar tutje ajo,

E pyetur nëse me këtë Bord po synohet të zëvendësohet OKB-ja, Osmani ka thënë se është krejt e kundërta.

Ajo ka deklaruar se këto organizata mund të punojnë me njëra-tjetrën, për të arritur paqen dhe për ta ruajtur atë si vlerë dhe nevojë për ata që më së shumti ju nevojitet.

Osmani ka thënë se lidhja me Amerikën ka qenë historikisht vendim i mirë për vendin. Por, ka shtuar se është e rëndësishme për Kosovën të jetë në një  organizatë kaq të rëndësishme ndërkombëtare, pasi sipas saj do të thotë forcim i sovranitetit për vendin.

“Ne besojmë në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në synimin për t’i ndihmuar shtetet tjera ta arrijnë paqen njëjtë siç na ndihmuan  neve vite më parë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se vendi është munduar për një kohë të gjatë të jetë anëtare e OKB-së, por Rusia e ka bllokuar atë.