Osmani thotë se beteja me koronavirus nuk ka përfunduar, fton qytetarët për respektim të masave anti-COVID

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani për të disatën herë ka ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm karshi virusit korona.

Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook thotë se beteja me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj do të rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve, njofton Klan Kosova

Osmani mes tjerash thotë që ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

Postimi i plotë i Osmanit:

Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!