Paga minimale ende tatohet, barrën e mbajnë punëtorët

Pavarësisht premtimit të Qeverisë së Kosovës për lirimin e pagës minimale nga tatimi, punëtorët që paguhen me 500 euro bruto vazhdojnë të marrin 456.50 euro në muaj. Zbatimi i kësaj mase ende nuk ka një afat të bërë publik.

Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë, lirimi nga tatimi do t’u sillte punëtorëve me pagë minimale edhe 18.50 euro në muaj, ose 222 euro në vit. Megjithatë, edhe pas zbatimit të mundshëm të masës, paga neto do të arrinte në 475 euro, pasi kontributi pensional prej pesë për qind do të vazhdonte të zbritej nga paga.

Nga paga bruto prej 500 eurosh, punëtorit aktualisht i zbriten 25 euro për kontributin pensional dhe 18.50 euro për tatimin në të ardhura. Kështu, në llogarinë bankare i kalojnë 456.50 euro.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më 13 shtator, gjatë prezantimit të programit qeveritar në Kuvend, se paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohej. Por, sipas Radios Evropa e Lirë, Qeveria nuk ka bërë të ditur se kur do të nisë zbatimi, sa punëtorë do të përfitojnë dhe sa do t’i kushtojë kjo masë buxhetit të shtetit.

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, vlerëson se përveç lirimit nga tatimi, Qeveria mund të marrë përsipër përkohësisht edhe kontributin pensional të punëtorëve, në mënyrë që ata t’i marrin të plota 500 eurot. Sipas tij, një masë e tillë mund të zbatohet deri në dy vjet ose derisa të stabilizohet inflacioni.

Ndërkohë, rritja e pagës minimale ka shtuar edhe shpenzimet e punëdhënësve. Përveç 500 eurove bruto, punëdhënësi paguan edhe pesë për qind kontribut pensional, duke e çuar koston mujore të një punëtori në 525 euro. Kjo është 78.75 euro më shumë krahasuar me koston mujore prej 446.25 eurosh, kur paga minimale ishte 425 euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se rritja e kostove mund të ndikojë në numrin e të punësuarve dhe organizimin e punës. Ndërsa Misini vlerëson se mbështetja financiare për bizneset mund të ndihmojë në ruajtjen e vendeve të punës dhe parandalimin e informalitetit.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, mbi 161 mijë punëtorë figurojnë me paga bruto nën 500 euro. Megjithatë, ATK-ja ka sqaruar se kjo kategori përfshin edhe raste të pagave dytësore dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht shkelje të pagës minimale për punëtorët me orar të plotë.

Për shkak të mungesës së të dhënave të sakta për numrin e punëtorëve që marrin pagën minimale, ende nuk mund të përcaktohet se sa do të kushtonte lirimi i saj nga tatimi për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve vazhdon të rëndojë buxhetet familjare, duke e zbehur ndikimin e rritjes së pagave në fuqinë blerëse të qytetarëve.