Pak mundësi që në Samitin e Zagrebit të liberalizohen vizat për Kosovën

Presidenti Hashim Thaçi ka akuzuar BE-në se po e mban të izoluar popullin e Kosovës. Ai tha se ky union fillimisht duhet të liberalizojë vizat, e më pas të shoh mundësinë e ndërmjetësimit të dialogut. Por, profesorët universitarë dhe njohës të fushës së integrimit, flasin me skepticizëm, nëse kjo do të arrihet deri në Samitin e Zagrebit.

Bashkimi Evropian fillimisht duhet të heq kufizimin e lëvizjes për kosovarët, e më pastaj të mendoj nëse kanë aftësi për organizim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu tha presidenti Hashim Thaçi, duke e akuzuar këtë union, se padrejtësisht Kosovën po e mban pa liberalizim të vizave.

Profesori, Fadil Sahiti, është skeptik sepse e cilëson këtë proces me shumë politik sesa teknik. Ai thotë se Kosova nuk qëndron me keq se shtetet fqinje, të cilat tashmë e kanë lirinë e lëvizjes.

“Liberalizimi nuk është shumë i lidhur me aspektet teknike, me aspektet e qeverisjes së mirë apo luftën kundër korrupsionit, e sidomos kur krahasohemi me shtetet e rajonit. Kosova, për shembull, nuk qëndron ndryshe kur e krahasojmë me Shqipërinë ose Maqedoninë”, deklaroi për RTV Dukagjinin profesori universitar, Fadil Sahiti.

Vetëm se, ai thotë se duhet të dëshmohet më shumë stabilitet politik dhe ta përmbyll konfliktin e hapur me Serbinë.

Ndërsa hulumtuesi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, e sheh si te vështirë futjen e Kosovës ne agjendën e samitit te Zagrebit nëse nuk konsensus politik ndërmjet te shteteve anëtarë të BE-së.

“Ndoshta Kosova nuk do të futet farë në agjendë pasi në këso lloj samitesh nuk futen fare në agjendë tema për të cilat nuk ka konsensus e për të cilat do të dështonin po të shkonin në votim. Nëse ekziston kjo përçarje brenda shteteve të BE-së, kjo temë nuk futet fare në agjendë”, deklaroi Seb Bytyçi – profesor në Universitetin e Winchester.

Samiti ne Zagreb i Ballkanit Perëndimore do te mbahet nga 5 deri ne 7 maj te këtij viti, ndërsa edhe kryeministri Albin Kurti ka përmend liberalizim deri në këtë datë, edhe tek plani i saj për heqjen e taksës. /RTV Dukagjini/