Pallaska për Kurtin: Po mundohet t’i arsyetojë trazirat me frustrim popullor

Avokati Dastid Pallaska, e ka bërë horë kryeministrin në dorëheqje për interpretimin e mëhershëm kushtetues. Pallaska përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se përkundër mobilizimit të gjithë arsenalit retorik që posedon – që shërben për mjegullimin e qëllimeve të tij politike – është cektësia e interpretimit kushtetues që e tradhton, Kryeministrin në ikje, duke konfirmuar qëllimin e tij për të mbajtur vendin në bllokadë kushtetuese deri sa frustrimi popullor t’i mundësojë atij të arsyetojë trazirat që do t’i hapin rrugë vendosjes së diktaturës.

E gjithë kjo, sipas tij, po bëhet mbi bazën e propagandës së shfrenuar që rrejshëm po e prezanton atë si viktimë.

“Kryeministri në ikje sot paska gjetur kohë nga lufta kundër pandemisë për të na shpalosur edhe “ekspertizën” e tij kushtetuese. Përkundër mobilizimit të gjithë arsenalit retorik që posedon – që shërben për mjegullimin e qëllimeve të tij politike – është cektësia e interpretimit kushtetues që e tradhton Kryeministrin në ikje, duke konfirmuar qëllimin e tij për të mbajtur vendin në bllokadë kushtetuese deri sa frustrimi popullor t’i mundësojë atij të arsyetojë trazirat që do t’i hapin rrugë vendosjes së diktaturës.

E gjithë kjo mbi bazën e propagandës së shfrenuar që rrejshëm po e prezanton atë si viktimë. Me një shpjegim qesharak për parimet e interpretimit kushtetues, Kryeministri në ikje pretendon se votat e 82 deputetëve të Kuvendit, me të cilat iu aprovua vetëdorëzimi i tij, nuk mjaftojnë për krijimin e shumicës së re parlamentare.

Kryeministri në ikje duhet ta kuptojë se vetëdorëzimi i tij u miratua me votën e më shumë se 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe 2/3 e deputetëve nga komunitetet jo-shumicë, që mjafton jo vetëm për të krijuar një shumicë të re parlamentare por edhe për të ndryshuar Kushtetutën. Neni 82, paragrafi 2, i Kushtetutës që parasheh se Presidenti MUND të shpërndajë Kuvendin pas votimit të mocionit të mos-besimit ndaj Qeverisë është fare i qartë.

Përderisa i jep të drejtën Presidentit të shpërndajë Kuvendin në rast se nuk ka mundësi që të krijohet një shumicë e re parlamentare, kjo dispozitë kushtetuese nuk e detyron Presidentin ta shpërndajë Kuvendin menjëherë pas votimit të suksesshëm të mocionit të mos-besimit. Kjo është arsyeja pse kjo dispozitë kushtetuese përdorë termin juridik opcional “MUND” në vend të termit të karakterit imperativ “DUHET.”

Përndryshe, është me rëndësi të theksohet se Kushtetuta jonë nuk parasheh që mos-besimi ndaj një Qeverie të bëhet në të njëjtën kohë apo nëpërmjet votimit të Qeverisë pasuese, siç është rasti i Gjermanisë për shembull. Sipas Kushtetutës tonë, vota e mos-besimit ndaj Qeverisë dhe vota për zgjedhjen e Qeverisë pasuese janë procese të ndara.

Kjo do të thotë se “konstruktiviteti” i shumicës parlamentare me të cilën është votuar mos-besimi ndaj Qeverisë së shkarkuar testohet vetëm pasi që Kuvendit t’i prezantohet për votim propozimi për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në fund, por jo për nga rëndësia, duhet të theksohet se nuk ka asnjë dallim, në kuptim të legjitimitetit demokratik apo autorizimeve kushtetuese apo konsideratave për zgjedhje të Qeverisë së re, ndërmjet një Qeverie të dorëhequr dhe një Qeverie të shkarkuar.

Në të dy rastet Qeveria e dorëhequr/shkarkuar mbetet Qeveri kujdestare dhe kryen vetën punët e përditshme për të siguruar vazhdimin e funksionimit të institucioneve deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, ka shkruar Pallaska.