Sunny Hill Festival

Para konferencës për media, Osmani e pret diplomaten amerikane – flasin për “hapat drejt konstituimit te Kuvendit”

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në një takim sot të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Presidenca tha se u diskutuan “zhvillimet e fundit”. Në fokus, u tha se ishin “hapat drejt konstituimit të Kuvendit”.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në hapat përpara drejt konstituimit të Kuvendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Presidenca.

Osmani do të dalë pas pak në një konferencë për media të paralajmëruar sot gjatë ditës. Në njoftimin për të, Presidenca nuk e bëri të ditur arsyen.

Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.