Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka vlerësuar se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, përmban paqartësi juridike dhe nuk i adreson plotësisht gjetjet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Menaxheri i projekteve dhe hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi ka thënë se projektligji duhet të rishikohet në mënyrë thelbësore para miratimit përfundimtar, duke theksuar se paqartësitë kryesore lidhen me periudhën retroaktive të zbatimit, statusin e Byrosë dhe sigurinë juridike të qytetarëve që mund t’i nënshtrohen procedurave të konfiskimit.
“Po, e para punës duhet ta theksojmë që ky projektligj dy herë ka, ka dështuar të shkojë tutje nga Gjykata Kushtetuese, pra njëherë është rrëzuar për shkak të përmbajtjes, ndërsa herën tjetër për shkak të procedurës së miratimit. Pavarësisht asaj që ka qenë edhe në procedurën e konsultimeve publike, vlerësojmë që Ministria e Drejtësisë nuk ka arritur që t’i adresojë të gjitha çështjet të cilat janë ngritur në periudhën e konsultimeve publike. Pra kemi miratimin e një projektligji në lexim të parë, i cili nuk i ka adresuar çështjet kryesore që synohet të rregullohen me këtë projektligj”, ka thënë Salihi.
Një nga çështjet që, sipas tij, kërkon sqarim është periudha retroaktive e zbatimit të ligjit, pasi projektligji nuk përcakton qartë se cilat kategori të zyrtarëve do të përfshihen në procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Edhe në analizën e GLPS-së kemi theksuar se aktualisht ky projektligj nuk e ka caktuar afatin retroaktiv. Pra, për cilët zyrtarë do të aplikohet masa e tillë ose konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, pra ata zyrtarë që kanë qenë nga 2008-ta deri më tani, apo për zyrtarët që në 10 vjetët e fundit kanë mbajtur pozita publike, ose edhe ata që para 5 vjetësh kanë lëshuar ato pozita. Pra janë tri afate të cilat aktualisht i ka projektligji për Byronë dhe normalisht që kjo duhet të sqarohet njëherë e mirë për shkak se cenon sigurinë juridike të qytetarëve”, ka deklaruar ai.