Pasuria mbizotëron në finalen e Ligës së Kampionëve

Duke u afruar te sheshi “Liberdade” në qytetin e Portos, kopja gjigande e trofeut të Ligës së Kampionëve ka bërë që mbështetësit e Chelseat dhe Manchester Cityt të fotografohen, në mënyrë që ta kenë kujtim para finales trofeun që po kërkohet me çdo kusht nga skuadrat e tyre.

Dhe këtë trashëgimi të futbollit, klubet e këtyre tifozëve që kanë udhëtuar nga Anglia për në Portugali, u përpoqën të shkatërronin vetëm një muaj më parë. Këto dy skuadra ishin në mesin e atyre që kishin firmosur projektin për krijimin e Superligës Evropiane, që solli reagime të ashpra nga të gjitha anët.

Finalja mes Cityt e Chelseat në Porto (e shtunë 21:00) është një takim i dy prej ekipeve më të pasura të Evropës, në fund të një sezoni pandemik që ka limituar të gjitha skuadrat evropiane sa u përket të hyrave financiare. Në fakt, burimi kryesor i këtyre të hyrave, prania e tifozëve në tribuna u ka munguar skuadrave tashmë më shumë se një vit. Kjo është një tjetër kujtesë për avantazhet që mbahen nga klubet elitare, të cilat duket se kërkojnë përgjithmonë pasuri dhe fuqi të madhe, duke limituar çdo mundësi të klubeve të profilit të ulët për të qenë në finale të Championsit.

Por për të gjitha inatet dhe akuzat që ishin dhe ndikuan në shpërbërjen e Superligës Evropiane, finalja e 66-të e garës elitare të UEFA-s, siguron dritë optimizmi dhe shprese në këtë kohë sfiduese – si brenda sportit ashtu edhe jashtë tij.

Pos një ndeshje në “Stamford Bridge”, ku u lejuan 2.000 tifozë në dhjetor, shumica e tifozëve të Cityt apo Chelseat nuk kanë qenë në gjendje të shoqërojnë nga afër rrugëtimin e skuadrave të tyre deri në finale. Ata madje e humbën shansin për të protestuar në stadiume kundër klubeve të tyre që synonin ta mbyllnin kryesisht Ligën e Kampionëve për Superligën Evropiane, projekt që dështoi brenda 48 orësh.

Më në fund, në ndeshjen e tyre të 13-të të këtij turneu, tifozët do të lejohen të hyjnë në “Estadio do Dragao”. Zhurma dhe energjia e turmës, të zhdukura gjatë gjithë pandemisë, do të kthehen për shfaqjen e UEFA-s, pasi finalja e sezonit të kaluar u luajt në një stadium të zbrazët të Lisbonës. E këtë herë në Portugali do të jenë më shumë se dhjetë mijë vizitorë. Thjesht lloji i lëvizjes masive të mbështetësve të futbollit në të gjithë Evropën që nuk është parë në Ligën e Kampionëve që nga fillimi i pandemisë, marsin e kaluar, po shihet ditët e fundit në qytetin e Portos.

Mirëpo shpesh ka gracka për grupe tifozësh anglezë që udhëtojnë. Të enjten në mbrëmje pati një ndezje të shkurtër të trazirave në rrugët e Portos, pasi të gjitha restorantet dhe baret u mbyllën në orën 22:30 për shkak të orarit të masave pandemike. Hyrja në Portugali dhe në stadium ka kërkuar teste të shumta të koronavirusit, që kushtonin qindra dollarë.

Por ky ka qenë aspekti më pak i komplikuar i Manchester Cityt, i cili arriti në finalen e Kupës Evropiane për herë të parë në historinë 141-vjeçare. Pronari i Cityt, sheiku Mansour ka hequr të gjitha shpenzimet për tifozët e Cityt në Portugali, gjest ky i vlerësuar shumë. City do ta ketë përkrahjen e gjashtë mijë tifozëve, po aq sa Chelsea. Chelsea e ka mposhtur Cityn dy herë në tri ndeshjet e këtij sezoni. Sidoqoftë, City tashmë ka dy trofe dhe është në kërkim të të tretit për ta kompletuar “tripletën”.