Pas njoftimit të Dhomave të Specializuara se nga 9 deri më 18 shkurt do të mbahen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar duke theksuar nevojën që ky proces të përfundojë me drejtësi.
Në reagimin e saj, PDK vlerëson se procesi gjyqësor, i cili ka zgjatur mbi pesë vjet, është shoqëruar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që, sipas saj, kanë ngritur shqetësime mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
Sipas PDK-së, kjo situatë ka ndikuar në perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe ka rënduar padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e shtetit, të cilët ndodhen prej vitesh në paraburgim në Hagë.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se në fazën përmbyllëse të gjykimit është thelbësore që procesi të përqendrohet në mënyrë ekskluzive te faktet dhe provat, pa ndikime politike apo spekulative.
PDK gjithashtu thekson se dëshmitë kyçe të paraqitura gjatë procesit kanë rrëzuar pretendimet kryesore të aktakuzës, duke hedhur dyshime mbi bazën e akuzave të prokurorisë.
Në fund, PDK shpreh përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë, duke theksuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij procesi dhe në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare.