PDK: Koalicioni Vetëvendosje-LDK braktisi qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes dhe LDK-së mori fund ashtu siç kishte nisur – me akuza për njëra tjetrën, mashtrime ndaj qytetarëve, papërgjegjësi ndaj vendit dhe paaftësi për të qeverisur në mënyrë normale.

Sipas një komunikate për media të kësaj partie, ata nuk e nxitën krizën, e as nuk u bënë pjesë e saj.

“Së pari, koalicioni LVV-LDK ishte një mashtrim ndaj elektoratit të tyre, duke u premtuar qeveri brenda 72 orësh mbi baza parimore pas 6 tetorit, por që u katandisën në katër muaj vonesë dhe në një pazar joparimor për poste dhe pushtet.  Së dyti, përgjatë 50 ditëve të qeverisjes, kjo qeveri e shkarkuar orkestroi një frymë anti-amerikane, atëherë kur të gjithë prisnin të forconte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të. Ajo qëllimshëm neglizhoi sugjerimet e miqve e partnerëve tanë amerikanë dhe përmes diskursit kundërshtues e përçarës ndaj SHBA-ve, solli edhe sanksionimin e pashembullt të Republikës së Kosovës, deri në pezullimin e donacioneve dhe investimeve milionëshe për Kosovën”, thekson komunikata për media e PDK-së, duke thënë se dy liderët e partive LVV e LDK, nxitën një krizë politike në kulmin e krizës më të rëndë shëndetësore e shoqërore që nga paslufta, si pasojë e pandemisë globale të virusit COVID-19.

“Kur, me të drejtë, të gjithë këto ditë prisnim kujdesin e shtuar të qeverisë e të institucioneve, qytetarët si përgjigje morën një krizë të re që e rritë pasigurinë dhe frikën edhe më shumë. Dhe krejt kjo, si rrjedhojë e qërimit të hesapeve të ulëta politike e partiake ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës”.

“PDK konsideron se LVV e LDK ikën nga përgjegjësia institucionale e morale në kohën më të vështirë. Kryeministri Kurti u vet-dorëzua para sfidave dhe pritjeve të qytetarëve, duke provokuar me veprimet e tij mocionin e mosbesimit që dje mori mbështetjen e më shumë se dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Në këtë situatë të re politike, PDK kërkon të mos krijohet vakum institucional dhe sa më shpejt, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Por, pavarësisht se qeveria ka rënë dje, ajo është në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re. Dhe për asnjë moment, askush nuk duhet t’ju ikë përgjegjësive dhe obligimeve institucionale. Ky vend dhe shoqëria jonë, çdo herë ka ditur të gjejë forcën dhe vullnetin për të ecur përpara, sidomos në kohë të sfidave të mëdha, sikur kjo që e kemi përballë, në betejën me armikun e përbashkët, virusin COVID-19”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së .