PDK: masat ekonomike, të vonuara dhe të mangëta nga Qeveria e shkarkuar

Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi në një konferencë për media ka thënë se Qeveria në detyrën është vonuar me masat ekonomike, pas krizës së krijuar me koronavirus.

Sipas tij, masat e prezantuara edhe pse të nevojshme, në këto rrethana kanë ardhur shumë vonë.

“Partia Demokratike e Kosovës disa herë ka ngritur alarmin për kërcënimin që i vjen ekonomisë sonë prej pandemisë. Në vazhdën e propozimeve konkrete që kemi bërë si PDK për qeverinë, kemi thënë se është e domosdoshme që nga buxheti i shtetit menjëherë të lansohet Fondi i Posaçëm për Emergjencën, që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe të domosdoshme për sanimin e dëmeve ekonomike, përmes miratimit të një Pakoje Financiare për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, në vlerë prej së paku 300 milionë euro. Dhe për këtë kemi ofruar edhe modelimet e sakta financiare dhe veprimet që duhet te ndërmirren menjëherë”, tha Bytyçi.

Ai thotë se masat e publikuara nga Qeveria, nuk do të mund të adresojnë në nivelin e duhur dhe të nevojshëm krizën ekonomike.

 “Ne konsiderojmë se masat e pakos së propozuar nga qeveria në ikje nuk janë të mjaftueshme për t’ju bërë ballë përmasave të pandemisë. Po ashtu, nuk jemi të sigurt se qeveria do të zbatojë edhe ato masa të mangëta që ka propozuar. Në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën, që dje, Kryeministri në detyrë do të duhej të thirrte seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të bërë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2020”, tha zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Masat e propozuara nga PDK-ja.

Ndër masat që kemi propozuar dhe që duhet të ndërmirren si pjesë e Pakos Financiare janë:

1. Pagesa nga qeveria e një rroge optimale për punëtorët e sektorit privat. Nuk duhet të jetë referencë paga minimale, por paga mesatare në sektorin privat. Paga prej 170 euro është tepër e vogël, sidomos në këtë kohë të krizës. Punëtorët e sektorit privat nuk duhet t’i trajtojmë si kategori sociale, por si kontribues të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Propozimi ynë është që paga për punëtorët e sektorit privat duhet të jetë 300 euro;

2. Shtesat për pagat e punëtorëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit duhet të jenë 300 euro në muaj për secilin. Këtu duhet të përfshihet personeli i shëndetësisë, i policisë, zjarrëfikësit, ushtarët e FSK-së, personeli i shërbimit korrektues, personeli i Inspektoratit të Tregut, i Inspektoratit Sanitar, etj. Po ashtu, nga 150 euro duhet të ndahen edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike, në nivel qendror dhe në nivel komunal, që ndërlidhen me shërbimet bazike, siç janë furnizimi me ujë dhe me energji elektrike, në kohën kur personeli i këtyre ndërmarrjeve është në terren çdo ditë, për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm të qytetarëve me këto shërbime të domosdoshme;

3. Krijimi i një linjë të kreditimit emergjent prej 80 milionë euro me interes zero dhe periudhë 2-vjeçare të kthimit për bizneset e dëmtuara nga masat restriktive për shkak të pandemisë, në mënyrë që ata të mund të  mbulojnë shpenzimet rrjedhëse dhe të mund të rimëkëmbën pas kthimit të normalitetit;

4. Të subvencionohet pagesa e qirave të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e krizës në masën prej së paku 50% të kostos;

5. Krijimi i një fondi humanitar prej së paku 40 milionë euro për të financuar furnizimin me ushqime dhe me produkte esenciale për kategoritë në nevojë, si dhe  për të mbuluar kostot e barnave për qytetarët e moshës mbi 60 vjeç;

Pavarësisht papërgjegjshmërisë së treguar deri tani nga kjo qeveri në ikje, dhe pavarësisht vonesës në ndërmarrjen e masave për ta mbështetur ekonominë e vendit, si dhe duke parë kërcënimin e rëndë të pandemisë, Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për koordinim me qeverinë në detyrë për të marrë masat e duhura emergjente për të evituar kolapsin ekonomik.

Vonesat e ndodhura në marrjen e masave parandaluese për shpërndarjen e virusit në vend, nuk duhet të përcillen edhe me vonesa në marrjen e vendimeve ligjore për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve tanë dhe të bizneseve kosovare, që janë shtylla të ekonomisë sonë. PDK do të jetë mbështetëse për marrjen e masave të sipërcekura dhe për çfarëdo masa që janë në dobi të qytetarëve të vendit dhe jemi të gatshëm që të mbështesim në Kuvendin e Kosovës rishikimin e Ligjit të Buxhetit menjëherë, ashtu që Pakoja Financiare të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe me masa efikase që ndihmojnë rimëkëmbjen e ekonomisë sonë.