Xhavit Haliti

PDK mobilizohet për protestën: Mbështetje e plotë për marshin ‘Drejtësi, jo politikë!’

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur mbështetjen e saj për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të organizohet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Marshi organizohet nga platforma Liria ka Emër.

Në njoftimin e bërë më 4 shkurt 2026, PDK ka bërë të ditur se ka nisur mobilizimin e të gjitha strukturave partiake, në mbarë Kosovën, me synim angazhimin sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë tubim qytetar.

Sipas PDK-së, ky marsh përfaqëson një thirrje të ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre – të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Gazeta Stop mëson se PDK vlerëson se, në këtë fazë përmbyllëse të procesit gjyqësor, kërkohet drejtësi e plotë, e barabartë dhe e çliruar nga çdo ndikim politik.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri, dinjitet dhe mbijetesë, duke theksuar se çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.

Në fund, PDK u bën thirrje qytetarëve që, në frymën e unitetit, respektit institucional dhe vlerave shtetërore, të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

“Drejtësi, jo politikë!”