PDK: Votat e ardhura nga diaspora ishin të manipuluara

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për votat në Dragash.

Sipas PDK-së Supremja konfirmoi “se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar”.

Supremja vendos që të përsëritet votimi nga jashtë për komunën e Dragashit

Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme derisa thotë se riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani.

“Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune. Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit. PDK fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime për kryetarin e Dragashit’, thuhet në njoftim.