Pedri, një yll i ri që po lind te Barça

Mesfushori 17-vjeçar i Barcelonës, Pedri, mund të mos ketë qenë në listën e golashënuesve në fitoren e skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve, 2:0 ndaj Juventusit, por adoleshenti ishte ylli i pagabueshëm i këtij triumfi që i dha jetë ekipit tij të plagosur dhe e vendosi veten në hartën e futbollit.

Duke pasur parasysh se ishte ndeshja e dytë rresht si titullar, pavarësisht se nuk shkëlqeu në humbjen e së shtunës së shkuar 3:1 nga Real Madridi, Pedri luajti me ambicie dhe trimëri kundër kampionit të Italisë, duke udhëhequr lojën e Barçës me pasime të shkëlqyera dhe driblime të sigurta, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

“Duke ditur moshën e tij, ajo që bëri Pedri ndaj Juventusit ishte e jashtëzakonshme”, pranoi trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman. “Fakti që ai ishte në gjendje të tregonte aftësi dhe karakter të tillë në atë moshë, më bën shumë të lumtur. Ai do të jetë një lojtar i shkëlqyeshëm për këtë Barcelonë”.

I riu, i cili po luante ndeshjen e tij të parë si titullar në Ligën e Kampionëve, pasi shënoi kur u fut nga banka e rezervistëve kundër Ferencvarosit javën e kaluar, u largua nga fusha me të dhëna statistikore impresive. Ai gjithashtu bëri edhe punë të madhe në mbrojtje, duke rifituar topin shumë herë. Por ajo që ishte më mbresëlënëse ishte gatishmëria e tij për t’u përballur me lojtarë të klasit botëror dhe qetësia e tij me topin kur ishte nën presion.