Për 15 ditë Policia ka shqiptuar 43.000 gjoba për shkelësit e masave anti-COVID

Policia e Kosovës ka shqiptuar 43.000 fletëparaqitje për kundërvajtje nga data 30 gusht deri më 14 shtator.

Në një përgjigje për Kohën është bërë e ditur se gjithashtu janë dhënë rreth 15 mijë vërejtje për shkelësit e Ligjit anti-COVID referuar vendimeve për masat e përcaktuara nga qeveria për parandalimin e pandemisë.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se referuar vendimeve të institucioneve si dhe referuar planifikimeve operacionale, Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ndërmerr sipas vendimit të Qeverisë, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit të paraparë.

“Planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Policia e Kosovës po ashtu përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijësuese”, ka thënë ka Policia.