Sunny Hill Festival

“Për ujëra pa plastikë” – Kosova shënon Ditën Botërore të Mjedisit me thirrje për veprim dhe vetëdijesim

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), në partneritet me Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Program ky i bashkëfinancuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeveria e Kosovës, organizoi sot manifestimin qendror për Ditën Botërore të Mjedisit 2025. Tema globale e këtij viti “Ndalimi i ndotjes nga plastika” u përcoll në Kosovë me mesazhin e qartë: “Për ujëra pa plastikë”.

“Plastika sot është shndërruar në një nga rreziqet më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore. Shifrat janë alarmante: çdo vit, miliona ton plastikë përfundojnë në lumenjtë dhe detet tona, duke dëmtuar biodiversitetin, zinxhirët ushqimorë dhe vetë shëndetin e komuniteteve tona. Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë partnere e palëkundur e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, duke mbështetur përpjekjet për qeverisje të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm” – u shpreh Shkëlqim Daci, përfaqësues nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 2 milionë euro për pastrimin e lumenjve, dhe për të ardhmen jemi duke menduar që në Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave të kemi një sistem më unik të menaxhimit. Aktualisht kemi një qendër të ndarjes së mbeturinave, mirëpo në plan të strategjisë kemi 5 qendra të ndarjes në 5 rajone”, tha Agim Mazreku, Këshilltar i Jashtëm Politik në MMPHI.

Fryma e mesazhit “Për ujëra pa plastikë” u reflektua gjatë gjithë ngjarjes, duke kulmuar me një panel gjithëpërfshirës ku u bashkuan përfaqësues institucionalë, ekspertë të mjedisit, akademikë, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj të cilët sollën në vëmendje sfidat që lidhen me ndotjen plastike në Kosovë dhe ndanë shembuj konkretë, kërkime dhe ide praktike për zgjidhje afatgjata. Në diskutimin tematik, u theksua se ndotja plastike është tashmë një krizë globale – dhe Kosova nuk bën përjashtim. Mikroplastikat janë gjetur kudo në ekosistemet ujore, madje edhe në trupin e njeriut, sipas studimeve të fundit ndërkombëtare.

MMPHI  dhuroi  100 drunj  Tech Park Prishtina, si pjesë e angazhimit për një mjedis më të gjelbër dhe të qëndrueshëm. Ky aktivitet simbolik synon të nxisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e gjelbërimit urban dhe përfshirjen e komunitetit në mbrojtjen e natyrës, duke e bërë qytetin më të shëndetshëm për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Eventi u përmbyll me mbjelljen simbolike të drunjëve si dhe me ekspozitë kreative nga materiale të ricikluara të realizuara nga nxënësit e Shkollës Finlandeze.