Fryrja, kapsllëku apo ndjenja e rëndesës janë shqetësime të përbashkëta, dhe për shumë njerëz, nuk ka nevojë për ilaçe, por për disa zgjedhje të zgjuara ushqimore.
“Si gastroenterolog, shoh çdo ditë pacientë që vuajnë nga kapsllëku. Medikamentet mund të ndihmojnë, por shpesh hapi i parë më natyral është ushqimi”, thotë doktori Mikhail Yakubov, nga Manhattan Gastroenterology, për New York Post.
Pesë ushqime që, sipas mjekut, mund të ndihmojnë butësisht tretjen dhe lëvizjen e zorrëve:
1. Kivi

Kjo frutë e vogël është një thesar për sistemin tretës.
Kivi nuk përmban shumë sheqer dhe nuk shkakton fryrje të stomakut.
2. Tërshëra

E preferuar nga sportistët, një tas tërshëre në mëngjes mund të bëjë mrekulli.
“Tërshëra është e pasur me fibër të tretshme, veçanërisht beta-glukan, që e zbut jashtëqitjen duke tërhequr ujë në zorrë. Kjo bën që jashtëqitja të kalojë më lehtë”, ka shpjeguar ai.
Doktori ka këshilluar të shmangen paketimet e përpunuara me shije, që shpesh përmbajnë sheqer të shtuar, gjë që mund të ngadalësojë tretjen.
3. Farat chia

Mund të jenë të vogla, por janë të fuqishme për tretjen.
“Farat chia përthithin disa herë peshën e tyre në ujë, duke krijuar një masë xhelatinoze që zbut dhe shton volumin e jashtëqitjes. Janë gjithashtu të pasura me omega-3 dhe fibra”, ka thënë doktori.
Shtoni 1-2 lugë gjelle në ujë, kos apo smoothie, por lërini të qëndrojnë për të paktën 10 minuta para se t’i konsumoni, që të kenë kohë të zmadhohen dhe zbuten.
4. Kafeja

Po, ajo filxhan kafeje në mëngjes nuk është vetëm për zgjim, ndihmon edhe për të nisur “motorin e zorrës”.
“Nuk është thjesht kafeina. Kafeja stimulon drejtpërdrejt muskujt e zorrës së trashë. Për disa njerëz, funksionon brenda pak minutash pas konsumimit”, ka shpjeguar Yakubov.
Por ai ka paralajmëruar të mos e teproni, sepse sasia e lartë e kafeinës mund të shkaktojë dehidrim, duke e përkeqësuar kapsllëkun. Doktori ka rekomanduar që të pini edhe shumë ujë bashkë me kafenë.
5. Spinaqi i zier

Shumë i shëndetshëm dhe me efekt të fortë për tretjen.
“Spinaqi është i pasur me magnez, i cili ndihmon në tërheqjen e ujit drejt zorrëve. Ka gjithashtu shumë fibra dhe hekur, sidomos i rëndësishëm nëse kapsllëku lidhet me aneminë”, ka thënë Yakubov.
Ai rekomandon gjysmë filxhani spinaq të zier për vakt.
“Barishtet e ziera janë zakonisht më të lehta për t’u tretur sesa ato të gjalla, sidomos për ata që vuajnë nga fryrja”, ka thënë tutje ai.
Një qese e plotë me spinaq të freskët (rreth 280 gramë) pasi gatuhet zvogëlohet në më pak se një filxhan, ndaj rekomandohet të blini më shumë se sa mendoni.
“Shumica e ushqimeve që ndihmojnë në lehtësimin e kapsllëkut bien në kategori të pritshme: fruta me fibra, fara, barishte, dhe drithëra të plota. Nga pikëpamja mjekësore, nuk ka një ushqim ‘magjik’ që bën mrekulli, por nëse do të zgjidhja një që funksionon më shpejt, do të thosha kafeja”, ka thënë ndër të tjera doktori.