Policia bastis një banesë në Fushë Kosovë, 37-vjeçarja kapet me kokainë

Një rast i abuzimit me substanca narkotike është zbuluar dje në Fushë Kosovë, pasi Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në një banesë në rrugën ‘Hajrullah Zymi’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Lidhur me rastin është shoqëruar në stacion policor një 37-vjeçare, e cila është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarës të iniciohet rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.