Policia e Kosovës, hyn në objektin e komunës së Zubin Potokut, protestuesit detyrohen të shpërndahen

Njësia Speciale e Kosovës, e ka filluar intervenimin për t’i shpërndarë protestuesit në Komunën e Zubin Potokut.

Fillimisht, u has në rezistencë, por policia shumë shpejt ka depërtuar në hyrje të objektit, duke e shpërndarë turmën.

Policia e ka thyer derën e komunës e cila ishte e blinduar nga protestuesit.

Sipas ekipit të RTV Dukagjinit, që po qëndron atje, ka disa protestues që janë lënduar. Aty është edhe autoambulanca e cila e ka dhënë ndihmën e parë.

Për ta shpërndarë turmën policia kishte përdorur sprej dhe gaz lotsjellës.

Para disa minutave, aty ishin dëgjuar edhe disa të shtëna me armë të cilat dyshohet se vinin nga protestuesit.