Policia e Kosovës mbyll disa “rrugë ilegale” për parandalimin e kontrabandës

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të enjten se Policia e Kosovës ka nisur të mbyllë disa rrugë që, siç ka thënë ai, shfrytëzohen për kontrabandë.

Ai ka thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Postimi i plotë i Sveçlës:

Përgëzoj Policinë e Kosovës për angazhimin e pakursyer në parandalim të kontrabandës dhe aktiviteteve tjera kriminale.Si Ministër i Punëve të Brendshme përgëzoj Policinë e Kosovës në realizimin e suksesshëm të planit operacional në parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe të gjitha formave të kontrabandës, që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.Kjo dëshmon forcimin e shtetit ligjor, parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të mallrave përmes rrugëve ilegale, duke mbyllur dhe pamundësuar rrugët ilegale të shfrytëzuara nga kontrabanduesit.Përmes vazhdimit të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe zbatueshmërisë së ligjit, institucionet e Republikës së Kosovës kujdesen për mirëqenien, shëndetin dhe krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përfshirë ata që jetojnë në zonat kufitare.

Në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion u sekuestruan mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.