Pozitiv, negativ, negativ – prindi i bën fëmijës tre teste në tre laboratorë, rezultatet e shokojnë

Pozitiv, negativ, negativ! Brenda 24 orëve – këto ishin rezultatet që ka marrë një vajzë nga Prishtina nga tre laboratorë të ndryshëm në testin e saj për koronavirus.

Licencimi i laboratorëve privatë për kryerjen e testimeve serologjike dhe atyre PCR për koronavirus në Kosovë nuk po shkon mirë. Përveç çmimeve të larta që janë hasur nëpër shumë laboratorë, qytetarë të shumtë po ankohen për pasaktësi në testime dhe rezultare, shkruan lajmi.net.

E një rast i tillë kur rezultatet e testimeve ndryshojnë nga laboratori në laborator ka ndodhur dje dhe sot në Prishtinë.

B.I kishte dërguar vajzën e tij E.I për të kryer testin PCR për koronavirus në laboratorin “EuroMed” në Prishtinë ditën e djeshme dhe rezultati nga testi për koronavirus kishte rezultuar të jetë pozitiv.

Por, kjo nuk e kishte bindur B.I i cili për lajmi.net shprehet se as vajza dhe askush në familje nuk kishte simptoma të virusit COVID-19, prandaj kishte vendosur që të bënte edhe një test të dytë në një laborator tjetër në Prishtinë.

Vajza E.I ishte testuar për herë të dytë gjatë ditës së djeshme në laboratorin “ELITAPLUS” ku pas marrjes së rezultatit të testimit kishte dalë të mos jetë e infektuar me virusin COVID-19, ani pse pak orë më parë, “EUROMED” kishte dhënë rezultate të tjera.

E nevoja për t’i pasur dy teste negative për koronavirus të cilat kërkohen nëpër shumë raste siç është kalimi i kufirit me disa vende, e kishte shtyrë B.I që vajzën e tij ta testojë edhe për herë të tretë gjatë ditës së sotme.

Ai me vajzën e tij kishin shkuar në laboratorin “ELAB” ku pas testimit me metodën PCR për koronavirus, vajza E.I kishte rezultuar të jetë negative për herë të dytë radhazi, pavarësisht se ditën e djeshme në testimin e parë kishte rezultuar të jetë pozitive.

E krejt këto testime nuk është se kushtojnë pak. Për tri testime në tri laboratore të ndryshme, B.I ka paguar hiç më pak se 71 euro. Por, B.I së bashku me bashkëshorten e tij kanë kryer gjithashtu testet për koronavirus pasi vajza e tyre kishte rezultuar gjatë ditës së djeshme pozitive në një nga laboratorët privatë.

Prindërit e E.I, B.I dhe V.I në testimet e tyre për koronavirus kanë rezultuar negativë, ndërsa për t’i hedhur poshtë dyshimet e ngritura nga pasaktësia e laboratoreve private, atyre iu ka kushtuar edhe 75 euro të tjera.

B.I në një prononcim për lajmi.net ka bërë të ditur gjithashtu se rastin do ta paraqesë në polici dhe do të fillojë procedurat e ngritjes së padisë në gjykatë lidhur me këtë rast.

E lidhur me laboratorët privatë ankesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet. Dyshimet e tyre lidhur me testimet për koronavirus nëpër këto laboratore dërgojnë kah ideja se rezultatet pozitive po bëhen me qëllim të rritjes së numrit të testimeve ku këto laboratore përfitojnë shumë.

Në anën tjetër, lajmi.net ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë rast dhe raste të tjera të tilla që lidhen me laboratoret private të licencuara nga ky dikaster, por ende nuk ka marrë përgjigje.