Sunny Hill Festival

Presidentja Osmani e ka gati draftin për bllokadën për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë e ka gati një draft të cilin pritet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Presidencës, ekipi ligjor i Presidentës Osmani, ka përgatitur një draft mbi bllokadën politike në vend, për konstituimin e Kuvendit, por megjithatë ky draft akoma nuk ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

E gjitha kjo, për shkak se Presidenca është duke pritur përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese rreth kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës rreth kërkesës  së dërguar rreth një muaj më parë në këtë organ, mbi formën e votimit të kryetarit të Kuvendit.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, ka thënë këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Megjithatë, njohësit e Kushtetutës kanë folur se çfarë do të duhej dhe do të mundte të përmbante një draft i tillë.

Baraliu për draftin e Osmanit: Gjykata Kushtetuese duhet t’i sqaroj të gjitha pikat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka folur pas përgatitjes së një drafti mbi krizën politike në vend të Presidentes Vjosa Osmani për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Baraliu thotë se ky draft do të duhej të dërgohet në Kushtetuese sa më pare.

”Është më rëndësi të bëhet sa më parë. Ata janë duke e pritur kërkesën e gjykatës Kushtetuese për kërkesën e AAK-së’’ thotë ai.

Ai pret që të ketë sqarim për pikat rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, gjë që ka mbetur e pasqaruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese tek aktvendimi i vitit 2014-të.

“Por e tëra çka mund të jetë është sqarimi i të gjitha pikave të pasqaruara sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe konstitumit të organeve dhe një afati që do të duhej ta përmendte Kushtetuesja që nuk e ka bërë në vendimin e saj të 2014 dhe i tërë ai defekt i bërë atëherë, do të duhej të sqaroheshin tani” u shpreh Baraliu.

Kryeziu: Presidentja ta dërgoj në Kushtetuese draftin, s’ka pse e pret vendimin për kërkesën e AAK-së

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu thotë se presidentja Osmani tashmë do duhej ta dorëzonte lëndën në Gjykatë Kushtetuese sa i përket bllokadës në Kuvend.

Sipas tij, presidentja duhet të jetë më aktive dhe se nuk ka pse e pret aktgjykimin ndaj kërkesës së AAK-së pasi siç thekson ajo është dorëzuar nga deputetët që nuk janë të konstituar.

“Kjo duhej ta dorëzonte( lëndën) sepse kërkesa e bërë nga AAK-ja është me defekte sepse këta deputetë s’janë deputetë por deputetë në tentativë ose të pakonstituar…s’kanë të drejtë e detyrë të marrin vendime” shprehet ai.

Sipas Kryeziut, Osmani do të duhej të ishte më aktive në këtë rast,

“Presidentja duhet me qenë shumë aktive jo kështu ngadalë por shumë aktiv sepse kur e kemi hartuar kushtetutën presidentit i kemi lënë hapësirë edhe një vit se përafërsisht e kemi ditur se mund të ketë bllokada” u shpreh tutje ai.

Ai shton se Presidentja është e vetmja që ka legjitimitet dhe legalitet për këtë çështje.

“Tash e vetmja me legjitimet dhe legalitet të plotë është presidentja dhe për këtë arsye duhet me ndërhy sepse e ka detyrë kushtetuese se kushtetuta e detyron është obligative ndaj kushtetutës se është faktor i unitetit të popullit, duhet të përdorë mjete politike dhe juridike”, tha Kryeziu.

Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL: Presidentja duhet të kërkojë interpretim kushtetues për Kuvendin

Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL kërkon që Presidentja e Republikës së Kosovës të adresojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim kushtetues, me qëllim të zhbllokimit të procesit parlamentar dhe sigurimit të qartësisë juridike për procedurat e votimit në Kuvend.

”Lëvizja FOL vlerëson se, në situatën e krijuar nga ngërçi institucional për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është e arsyeshme që Presidentja e Republikës të adresojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim kushtetues.” tha ajo.

Sipas Mexhide Demollit nga FOL, ky hap do të ndihmonte në shmangien e keqinterpretimeve dhe garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve.

”Një hap i tillë do të ndihmonte në zhbllokimin e procesit parlamentar dhe do të siguronte qartësi juridike për procedurat e votimit, duke shmangur keqinterpretimet dhe duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve” shtoi ajo.

Por, ajo shpreh shqetësim për mundësinë e zgjatjes së ngërçit institucional për shkak të vonesave të mundshme në marrjen e vendimeve nga Gjykata Kushtetuese.

”FOL kërkon që ky instrument kushtetues të përdoret, nëse pas vendimit në kërkesën e AAK-së mbeten ende paqartësi që pengojnë konstituimin e Kuvendit. Megjithate ekziston frika e zgjatjes se këtij ngërçi duke pas parasysh vonesën që mund të ndodh deri në një vendim nga Gjykata Kushtetuese, vonesa këto që kemi parë në të kaluarën” potencoi Demolli. /Front Online/