Presidentja e Vjosa Osmani, i ka ftuar subjektet politike për një takim të mërkurën, për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Menjëherë pas konsultimeve, presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.
Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë.
Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.