Presidentja Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se ka mandatuar Glauk Konjufcën, për formimin e Qeverisë së re të vendit. Në konferencë për media, Osmani pretendoi se ky veprim është bërë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese.

“Sot, në përputhje me Kushtetutën dhe tri aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar zotin Glauk Konjufca si kandidat tjetër për kryeministër,” deklaroi Osmani, duke shtuar se ky vendim është në përputhje edhe me përgjegjësitë që Gjykata ia njeh Presidentes në të njëjtat aktgjykime. 

Ajo tha se Kushtetuta nuk i jep Presidentes asnjë hapësirë për të refuzuar emërimin e kandidatit të dytë, nëse ekziston një propozim i tillë. “Kushtetuta nuk i lë hapësirë dhe as diskrecion kreut të shtetit për mosemërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një propozim të tillë. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative – pra e detyron Presidenten e vendit që ta emërojë kandidatin e dytë,” ka deklaruar Osmani.

Osmani theksoi se vendimi i saj është në përputhje me nenin 95, paragrafi 4 të Kushtetutës, i cili e detyron Presidentin të emërojë një kandidat të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh nga dështimi i tentimit të parë..

“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetua nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, u shpreh Osmani.

Ajo iu referua edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 103/14, që përcakton se pas dështimit të një kandidati duhet të ketë një tentim të dytë për formimin e qeverisë. 

Sipas Osmanit, diskrecioni i presidentit ekziston vetëm kur më shumë se një parti kërkon të ofrojë mandatar, por në këtë rast, vetëm një subjekt politik ka paraqitur emrin.

“Por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose koalicion do t’i jepet mandati për ta propozuar kandidatin. Diskrecioni i presidentes vjen kur më shumë se një parti kërkon të ketë mandatarin. Në këtë rast, e kemi vetëm një parti. Rrjedhimisht sot kam mandatuar Glauk Konjufcën kandidat tjetër për kryeministër”, ka shtuar presidentja.