Sunny Hill Festival

Presidentja Osmani tërheq kërkesën për seancën konstituive nga Kushtetuesja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit. Vendimi vjen pasi gjyqtari serb Radomir Llaban është caktuar si raportues për këtë rast.

Sipas Osmanit, ky gjyqtar është identifikuar nga raportet e institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024 si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari që cenojnë rendin kushtetues të vendit.

“Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë.”, deklaroi Presidentja.

Ajo sqaroi se gjyqtari Llaban është emëruar në vitin 2018 nga institucionet dhe jo nga ajo, ndërsa theksoi se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim nga dy të tretat e anëtarëve të gjykatës, gjë që e bën të pamundur ndërhyrjen e Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.