Presidentja Vjosa Osmani, po i shqyrton mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit për e seancës konstituive.
Kështu tha për Klankosova.tv këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, i cili u shpreh se Omani po e shqyrton këtë mundësi për t’i qartësuar pasojat juridike nëse kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr. KO 124/25 , në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra, brenda 30 ditësh)”, tha Kupina për Klankosova.tv.
Më 26 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin ku i dha kohë deputetëve të legjislaturës së nëntë që ta konstituojnë kuvendin, proces ky që nisi më 15 prill.
Pikërisht sot, më 9 korrik është mbajtur seanca e 44-të për konstituim e cila dështoi, pasi Lëvizja Vetëvendosje si në 43 të tjerat nuk arriti që në pozitën e kryetares ta vendos Albulena Haxhiun.