Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Sedat Gashi, i është bashkuar garës për Asamblenë Komunale të Suharekës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari Bali Muharremaj, duke theksuar përkushtimin dhe integritetin e tij në shërbim të komunitetit.
Prof. Msc. Sedat Gashi, nga Luzhnica dhe me vendbanim në Suharekë, ka mbi 12 vite angazhim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku ka shërbyer si kryetar i nëndegës në Luzhnicë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të partisë në Suharekë.
Me një karrierë të gjatë si mësimdhënës në gjimnazin “Jeta e re”, ai ka diplomuar dhe ka përfunduar studimet master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për punën e tij, është vlerësuar disa herë si mësimdhënës i dalluar nga DKA dhe MASHT.
Përveç arsimit, Gashi ka përvojë edhe në gazetari dhe moderim, ndërsa në fushën e letërsisë është autor dhe bashkëautor i disa librave, përfshirë veprën “Sythet e dritëhijeve të jetës”. Ai është fitues i shumë çmimeve letrare në nivel komunal dhe mbarëkombëtar.
I njohur si njeri i devotshëm, i afërt dhe i respektuar, Prof. Sedat Gashi synon të sjellë në Asamble një zë të fuqishëm për arsimin, kulturën dhe zhvillimin e komunës së Suharekës.