Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i është bashkuar sot edhe një emër i njohur i fushës së teknologjisë informative, profesor Astrit Desku. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook.
Abdixhiku tha se LDK në këto zgjedhje i ka dhënë prioritet digjitalizimit, teknologjisë informative, inteligjencës artificiale dhe zhvillimit të së ardhmes, prandaj në listën e saj po afron profesionistë të sektorit.
“Profesor Astrit Desku i bashkohet ekipit tonë”, shkroi ai, duke e vlerësuar si një ndër emrat më të respektuar të ICT-së në Kosovë.
Me doktoratë në shkenca kompjuterike, studime ndërkombëtare, dhjetëra certifikime profesionale dhe një karrierë të gjatë në udhëheqjen e ekipeve teknike, Desku vlerësohet si profesionist i nivelit të lartë. Aktualisht ai drejton zhvillimin e softuerit në një prej kompanive më të fuqishme të sektorit.
“Ai vjen në LDK si njeri i punës, jo i fjalëve – profesionist që ndërton, që udhëheq, që inovon dhe që zgjidh probleme”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se aderimi i Deskut përbën një forcim të madh për listën e partisë dhe një mesazh të qartë se LDK po bashkon profesionistët më të mirë të vendit.
“Mirë se vjen në ekip, Astrit Desku! Le ta bëjmë Kosovën shembull të zhvillimit teknologjik”, përfundoi Abdixhiku.