Projektligji që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti u shpërndahet deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka bërë të ditur se Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në një postim në Facebook ka ftuar deputetët nga të gjitha subjektet politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, shkruan ai.

Haxhiu më tej njofton se tani plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ftoj të gjithë kolegët deputetë nga të gjitha subjektet politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”.

Pro tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe përfaqësues të dy partive të tjera opozitare në Kuvend, LDK dhe AAK.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës nuk e ka përkrahur nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusi, ministri Hekuran Murati ka thënë se kjo shkakton precedent të rrezikshëm dhe rritje edhe më të larta të çmimeve.