Prokuroria nis hetimet për zgjedhjet në Han të Elezit


Pas anulimit që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i bëri zgjedhjeve për kryetar të Hanit të Elezit, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet për rastin.

Të enjten, PZAP-ja njoftoi se i ka anuluar zgjedhjet në Han të Elezit pas ankesës së kandidatit Rufki Suma. Në arsyetim të anulimit thuhej se vendimi është marrë për shkak të presionit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatit Mehmet Ballazhi ndaj votuesve.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas marrjes së informatave se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 Tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit, ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe’Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’ nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës të KPRK-së (KPRK)”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Vetë Ballazhi ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër vendimit të PZAP-së.