Prokuroria po e vazhdon aksionin në zonën e Brezovicës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se po vazhdon edhe të martën inspektimin në zonën e Brezovicës që është si vazhdimësi e aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i inspektimit është identifikimi i të gjitha objekteve të ndërtuara në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar dhe nëse posedojnë leje ndërtimore dhe a janë në pajtim me ligjin.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”. Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.