Prokuroria Speciale jep detaje të reja për të arrestuarit në rastin ndaj Valon Sylës

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin, Valon Syla.

Prokuroria Speciale njoftoi se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre të dyshuarit, për sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj Sylës.

Arrestimi i tyre ndodhi gjatë ditës së sotme, thuhet në një komunikatë të përbashkët nga Policia dhe Prokuroria ku ofruan detaje të reja nga sulmi brutal karshi Sylës, transmeton Paparaci.

Në komunikatën e tyre thuhet se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe së shpejti do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

Të arrestuarit siç raportoi ekskluzivisht sonte Paparaci janë Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani.

“Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’. Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.