Me thirrjen “Liri për çlirimtarët”, mijëra qytetarë kanë protestuar të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë kundër procesit të zgjatur të gjykimit nga Gjykata Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte, por e kanë kryer detyrën më të lartë që e njeh historia.
E Ali Ahmeti, ish-themelues i UÇK-së dhe ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka bërë thirrje për bashkim të skenës politike.
“Kështu qofshim përherë, Tirana, Prishtina e Shkupi. Po ngrisim zërin për drejtësi, për respekt, për luftën tonë të drejtë, për liri, demokraci, pavarësi dhe miqësi me SHBA-në e Evropën”, ka thënë Ahmeti gjatë tubimit “Drejtësi për çlirimtarët” që u organizua në Tiranë të premten.
Ai theksoi se zanafilla e krijimit të Gjykatës Speciale lidhet me “raportimet e rreme ruso-serbe për trafikim organesh”, të cilat, sipas tij, ishin të pavërteta dhe u hodhën poshtë nga Tribunali i Hagës.
“Dick Marty e riaktualizoi këtë temë me porosi ruso-serbe dhe inicioi raportin në Këshillin e Evropës që më pas detyroi themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë u krijua nga vetë Kosova për t’ia pamundësuar Serbisë ta themelonte përmes Rusisë”, theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se, pas rrëzimit të akuzave për trafikim organesh, prokuroria ndryshoi drejtim duke ngritur aktakuza të reja “në ditën kur po nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington”.
Sipas Ahmetit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës “ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftën dhe nuk ka shkelur ligjet e luftës”.
“Liria e Hashimit, Kadriut, Rexhepit, Jakupit e të tjerëve është e vonuar dhe duhet të vijë menjëherë”, theksoi ai.
Ndërkaq Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se përmes “gjykatave të padrejta po përpiqet të barazohen viktima me xhelatin dhe të njolloset lufta e shenjtë”.
Organizatorët kanë paralajmëruar organizimin e protestave të tjera.