Protestojnë të pranuarit në konkursin e fundit në Trepçë

Para objektit të Qeverisë së Kosovës kanë protestuar të punësuarit në kombinatin “Trepça”, kundër paralajmërimeve për anulimin e konkursit të fundit në këtë ndërmarrje.

Sipas përfaqësuesve, kjo protestë është bërë që të sqarohen shqetësimet lidhur me informatat për anulimin e këtij konkursi.

Ndërkaq, me përfaqësuesit e protestuesve ka biseduar shefi i personelit të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, të cilit njoftohet se kanë thënë se qeveria nuk është e interesuar të largoj njerëz nga puna dhe se ky informacion nuk ka dalë nga Zyra e Kryeministrit.

“Ne jemi aplikuesit për punë në ndërmarrjen Trepça. Kemi pasur një shqetësim, ku ditën e premte ka dal një informatë se kryeministri Kosovës do ta anuloj konkursin drejtpërdrejt nga qeveria. Ky është një shqetësim i yni dhe kemi ardhur që ta kërkojmë një takim me kryeministrin apo personelin e tij që të kemi informacion më afër. Jemi takuar me shefin e personelit të kryeministrit si dhe me zëvendëskryeministrin Haki Abazi, ku një gjë e tillë nuk është dal nga Zyra e Kryeministrit dhe të dy kanë thënë se si qeveri nuk kanë tendenca që të largojnë njerëz nga puna”, tha njëri nga protestuesit.

Ata kërkojnë që ky konkurs të mos merr drejtim politik. “Shqetësimi ynë i vetëm ka qenë marrja e një premtimi se ky konkurs nuk do të merr kahje politike. Pasi që kemi marr nga dy persona një arsye të tillë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të vazhdojmë për ndonjë takim të radhës”, thanë ata.