Pse po bie numri i testimeve për COVID-19 në Kosovë?

Autoritetet shëndetësore në Kosovë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin e ri. Mirëpo përkundër që Qeveria “Hoti”, në programin qeverisës kishte premtuar se numri i testimeve për Covid-19 do të rritët, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje ky numër është zvogëluar.

Ditët e fundit në vendin tonë kemi parë numër të vogël të testimeve, vetëm dje janë testuar 231 mostra, që prej tyre 122 kishin rezultuar pozitiv.

Lidhur më zvogëlimin e numri të testimeve në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për lajmi.net se pas rritjes së rasteve me Covid-19, kapacitetet laboratorike janë kufizuar, kësisoj nuk mund të testohen të gjitha rastet e kontaktit, përveç kontakteve të afërta të cilët kanë simptoma të Covid-19.

“Me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në javët e fundit si dhe largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me COVID 19. Bazuar në rekomandimet e OBSh dhe ECDC, konform situatës epidemiologjike aktuale dhe kapaciteteve laboratorike të kufizuara, janë përcaktuar kriteret për testim në COVID 19”, thuhet në përgjigjën më shkrim të MSH-së dërguar lajmit.

Bazuar në rekomandimet e OBSH-se e ECDC-së, MSH thotë se testimet kryhen për këto kategori.

1. Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacient me COVID-19;

2. Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;

3. Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;

4. Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;

5. Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;

6. Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);

7. Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë

8. Nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë;

MSH tutje thotë për lajmi.net, se sipas këtyre kritereve janë duke u bërë edhe testimet aktuale, ndonjëherë mund të ketë më shumë e ndonjëherë me pak raste që bien në këto kategori për testim.

Kujtojmë se nga 8 shkurti janë testuar 23.570 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Numri total i rasteve pozitive është 2 mijë e 799 raste nga 23mijë 570 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 49 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese

Ndërkohë numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1 mijë 506 raste, kurse raste aktive 1 mijë 244. /Lajmi.net/