Qendra e Studentëve, tashmë hapësirë karantine, çdo ditë po pranon kosovarët e ardhur nga jashtë

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që për vite me radhë ka qenë në shërbim të studentëve, tash e një muaj është kthyer në Qendër për Karantiminin e shtetasve të Kosovës, të ardhur nga shtetet tjera, të cilët mbahen aty për 14 ditë.

E gjitha kjo po bëhet, për të parandaluar përhapjen më të madhe të sëmundjes ngjitëse COVID-19, e cila ka kapluar një masë të madhe të shteteve të botës, përfshirë edhe Kosovën.

Momentalisht në objektet e konvikteve janë në karantinë rreth 350 persona, numër ky i cili rritet çdo ditë, për shkak se siç thotë drejtori i Qendrës, Fatmir Sfishta, brenda ditës ata pranojnë deri në 20 persona, shtetas të Kosovës që hyjnë në territorin e vendit tonë përmes kufijve tokësor.

“Gjatë ditës Qendra e Studentëve pranon  në çdo moment persona të rinj, deri në 20 persona brenda ditës. Edhe sot ka pasur pranime të reja”, tha Sfishta për Telegrafin.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj jave janë përgatitur edhe për një numër më të madh të shtetasve kosovar që pritet të vijnë nga jashtë. “Pritet që gjatë javës, do të vijnë dy kontigjentje të mëdha që do të vijnë nga jashtë Kosovës, mbi 100 veta”, tha Sfishta.

Deri më tani, nga Qendra e Karantinimit janë liruar 470 persona, të cilët janë testuar për COVID-19, e që fatmirësisht kanë rezultuar negativ.

Aty punohet 24 orë, janë të angazhuar 180 persona të cilët shërbejnë  me ndërrime në këtë Qendër e cila ka hapësirë edhe për 200 persona të tjerë.

“Edhe 200 vende janë në dispozicion për të pranuar persona në karantinë. Punohet 24 orë me ndërrime, janë diku rreth 180 persona staf i Qendrës së Studentëve që janë të angazhuar. Këtu janë të përfshirë edhe kompanitë që i kemi ne të kontraktuara, kompanitë e dezinfektimit dhe staf i Qendrës së Studentëve, tash kemi staf të mjaftueshëm sepse na është dashur ta përzgjedhim stafin”, tha Sfishta.

Rezervat të cilat ishin menduar të shfrytëzoheshin për studentët gjatë këtij viti shkollor, tashmë po shfrytëzohen për banorët e rinj të konvikteve.

Aty thuhet se nuk mundon asgjë, falë edhe pjesës së plotësuar me pako higjienike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.

“Kushtet janë të mira, nuk kemi telashe. Deri më tani shumica e furnizimeve bëhen nga kontratat që ne i posedojmë për furnizim që i kemi pasur për studentët. Një pjesë e pakove higjienike që plotësohet depoja, janë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i Kosovës, ose nga kompanitë e ndryshme private, mirëpo pjesa më e madhe janë nga rezervat e Qendrës së Studentëve, si ato artikujve ushqimor, edhe higjienik”, bëri të ditur Sfishta.

Ndryshe, në Kosovë janë të infektuar me koronavirus 423 raste, 71 të shëruar si dhe 9 raste me vdekjeve.